Secondary Adv

Turizmi me rritje të ngadaltë edhe në shtator, hyrjet e të huajve u shtuan vetëm 2.1 për qind

Turizmi vijoi të shënojë rritje të ngadaltë edhe në shtator, duke ruajtur ritmet modeste që karakterizuan pjesën më të madhe të sezonit veror.

Hyrjet e shtetasve të huaj u rritën me vetëm 2.1% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa për nëntë muajt e parë të vitit rritja ishte 4.9%, sipas të dhënave të INSTAT.


Në shtator, në Shqipëri hynë 1.287 milionë shtetas të huaj, nga 1.260 milionë në të njëjtën periudhë të vitit 2025, ose rreth 27 mijë hyrje më shumë. Të dhënat e publikuara tregojnë se flukset vijuan të zgjerohen, por me një ritëm më të ulët se ai i regjistruar gjatë viteve të mëparshme.


Shtatori pasoi një sezon veror me luhatje të konsiderueshme. Pas rritjes prej vetëm 1.3% në qershor, hyrjet e të huajve u përshpejtuan në korrik, duke u rritur me 7.1%, për t’u ngadalësuar sërish në 2% në gusht, muaji që tradicionalisht regjistron fluksin më të lartë të vizitorëve të huaj.


Rritja prej 2.1% në shtator tregon se edhe fundi i sezonit veror vijoi me ritme modeste, pavarësisht zgjerimit të aktivitetit turistik dhe përpjekjeve për zgjatjen e sezonit në një pjesë të destinacioneve.


Për periudhën janar-shtator 2026, hyrjet e shtetasve të huaj arritën në 10.73 milionë, nga 10.23 milionë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja prej 4.9% është më e ulët se ritmi prej 5.3% i regjistruar për tetë muajt e parë të vitit.


Operatorët turistikë prisnin që zgjatja e sezonit gjatë vjeshtës të kompensonte rritjen e ngadaltë të flukseve gjatë verës, por ngadalësimi i hyrjeve të shtetasve të huaj edhe në shtator, së bashku me pasigurinë e krijuar nga zhvillimet e fundit dhe protestat, shton pikëpyetjet mbi ecurinë e aktivitetit turistik në muajt e mbetur të vitit.


Me heret operatorët kanë raportuar një sezon pozitiv për numrin e vizitorëve, por më të pasigurt për të ardhurat. Gjatë shtatorit, përfaqësues të sektorit kanë evidentuar prirjen e turistëve për qëndrime më të shkurtra, rezervime të momentit të fundit dhe kujdes më të madh me shpenzimet.


Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar, ka deklaruar se rritja e numrit të turistëve duhet parë veçmas nga të ardhurat që ata gjenerojnë.


“Ecuria deri tani është e mirë. Nëse flasim për numrat, ka një rritje. Mbetet për t’u parë se çfarë do të sjellë në të ardhura, pra nëse do të kemi më shumë të ardhura se vitin e kaluar dhe sa do të jetë kjo rritje”, është shprehur ai.


Ndër problematikat më të dukshme të sezonit 2026 kanë qenë mungesa e stafit të kualifikuar, trafiku, infrastruktura dhe raporti ndërmjet çmimeve dhe cilësisë së shërbimit, veçanërisht në destinacionet e jugut të vendit.


Një tjetër prirje e vërejtur gjatë verës ishte orientimi i një pjese të vizitorëve drejt apartamenteve dhe banesave private, si dhe përgatitjes së ushqimit në ambientet e akomodimit. Kjo është reflektuar edhe në sektorin e tregtisë me pakicë, ku bizneset kanë raportuar rritje të kërkesës për ushqime, pije dhe produkte të konsumit të përditshëm gjatë muajve turistikë.


Ndërkohë, të dhënat e INSTAT tregojnë se në shtator në Shqipëri hynë gjithsej 2.024 milionë shtetas shqiptarë dhe të huaj, me rritje 3% në krahasim me një vit më parë. Hyrjet e shtetasve shqiptarë u rritën me 4.5%, në 737.6 mijë, ndërsa daljet e tyre arritën në 823.9 mijë, me rritje 6.6%.


Publikimi i INSTAT


Gjatë muajit Shtator 2026, rezultojnë të kenë hyrë, në territorin e Republikës së Shqipërisë, 2.024.320 shtetas shqiptarë dhe të huaj. Ky tregues ka pësuar një rritje me 3,0 %, krahasuar me Shtator 2025. Gjithashtu, 2.141.133 shtetas shqiptarë dhe të huaj, rezultojnë të kenë dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke shënuar një rritje me 0,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Hyrjet në Shqipëri:


• Shtetas shqiptarë: 737.629 (rritje me 4,5 %) • Shtetas të huaj: 1.286.691 (rritje me 2,1 %)


Daljet nga Shqipëria:


• Shtetas shqiptarë: 823.874 (rritje me 6,6 %) • Shtetas të huaj: 1.317.259 (rënie me -2,8 %).

Burimi: Monitor


Më të lexuarat